Ai qe blen gjithmone eshte i fituar por ai qe shet eshte i humbur . Prona eshte gjithmone nje pasuri e patundshme te cilen e trashegon dhe gjithmone asaj i rritet vlera
1.Mundësi vetëfinancimi
Shumë njerëz investojnë në pasuri të paluajtshme duke përdorur kursimet personale apo përmes kredimarrjes.
Të ardhurat e gjeneruara nga qiradhënia e pasurisë së blerë, mundësojnë shlyerjen e kredisë apo rikthimin në terma afatmesëm të gjithë investimit të kryer.
Të ardhurat e realizuara mund të sigurojnë të ardhura periodike duke j’u mundësuar realizimin e një projekti biznesi apo investime të tjera në pasuri të paluajtshme.
Të ardhurat që realizohen përmes investimit në pasuritë e paluajtshme janë më të qëndrueshme sesa të ardhurat e gjeneruara përmes alternativave të tjera të investimit.
Niveli i të ardhurave të përfituara nga investimi juaj, (në rastet e dhënies me qira të pronës), varet nga disa faktorë që lidhen me vendndodhjen, cilësinë e saj, facilitetet /shërbimet ofron zona ku ndodhet prona etj.
Nëse prona juaj ndodhet në qytete të mëdha sigurisht dhe të ardhurat tuaja do të jenë shumë herë më të kënaqshme sesa ne zona rurale apo më pak të zhvilluara ekonomikisht.
Raporti investimit në pasuri të paluajtshme me investimin në aksione/bono.
Letrat me vlerë janë letra të cilat kanë nje vlerë nominale dhe që përdorën për t’u konvertuar në vlerë aksionesh. Aksionet dhe bonot shpesh mund të konfondohen si sinonime të njëra-tjetrës, por këto janë dy instrumenta krejt të ndryshëm.
Ndryshe nga aksionet, bonot nuk përfaqësojnë pjesë në një shoqëri tregtare. Bonot shërbejnë si një hua e cila paguhet me interes nga një shoqëri tregëtare.
Bonot janë më të qëndrueshmë sesa aksionet.
Vlera e aksioneve nuk është fikse, ajo ndryshon sipas luhatjeve të tregut.
Megjithatë investimi në bono dhe aksione nuk mundëson te njëjtin marzh kthimi të investimit krahasimisht me pasuritë e paluajtshme.
Investimi në pasuri të paluajtshme është shumë herë më i sigurtë dhe bën që të ardhurat tuaja të përfituara nga ky investim janë shumë herë më të larta.
Avantazhi kryesor i investimin në pasuri të paluajtshme krahasuar me investimin në bono dhe aksione është afati kohor dhe norma e kthimit.
Ndonëse aksionet dhe bonot janë instrumenta në të cilat mund të investohet për një kohë të shkrurtër, norma e kthimit të investimit kërkon më shumë kohë dhe niveli i saj është shumë herë më i ulët, krahasuar me normën e kthimit të investimit në pasuri të paluajtshme.
Bonot paguajnë një normë fikse interesi gjatë kohës së investimit, prandaj fuqia blerëse bie në periudha inflacioni. Ndryshe ndodh me pasuritë e paluajtshme, për të cilat mund të rritet vlera e qirasë gjatë inflacionit.
2.Siguri financiare afatgjatë
Përfitimet që vijnë nga investimi në pasuritë e paluajtshme u ofrojnë sidomos investitorëve,nje siguri financiare afatgjatë.
Zotërimi i një pasurie të patundshme,të cilën e jep me qira për periudha të gjata kohore,krijon një ndjenjë sigurie te investitorët për shkak edhe të rritjes së vlerës së pasurisë me kalimin e kohës.
Treguesit statistikore në të gjithë botën për vite më radhë kane treguar se vlera e tokës dhe pasurivë të paluajtshme kanë patur tendencë rritjeje me kalimin e viteve.
Megjithatë, gjithmone duhen vlerësuar me kujdes të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në ndryshimin e vlerës së pasurisë së paluajtshme në terma afatgjatë.
Faktorë të tillë lidhen me zhvillimin urban të zonës ku ndodhet pasuria, ndryshimin e destinacionit të përdorimit të pasurive të paluajtshme apo shpronësimin për interesa publike, ndryshimin e regjimit tatimor mbi pasuritë e paluajtshme etj
3.Inflacioni
Një tjetër përfitim nga investimi në pasuri të patundshme është edhe mbrojtja ndaj inflacionit. Gjatë periudhave me inflacion të lartë është vënë re se të ardhurat që vijnë nga qiraja si dhe vete vlera e pasurisë së paluajtshme pësojnë një rritje. Kjo përbën avantazh për investitorët sepse pavarësisht rritjes së kostos së tyre të jetesës si pasojë e inflacionit, të ardhurat nga dhënia me qera e pasurive të paluajtshme në pronësinë e tyre përgjithësisht shkojnë në progresion mesatarisht të njëjtë.
Në periudhat e inflacionit investitorët e pasurive të paluajtshme përdorin disa teknika për të siguruar mbrojtje ndaj tij si per shembull (i) rishikimi periodik i qirasë. Palët në një kontratë qiraje mund të vendosin që qiraja e pronës së paluajtshme të rishikohet në mënyrë periodike, sidomos në rastet e kontratave të qirase me afat të gjatë. Kjo është një teknikë që garanton për palët një qasje me fleksibël ndaj ndryshimeve ekonomike kombëtare ose ndërkombëtare. (ii) Kalimi i disa shpenzimeve që lidhen me pasurinë e paluajtshme për llogari të qiramarrësit. Ky kalim mund të pasojë me uljen e qirasë bruto deri në vlerën e tregut.
4.Kontrolli
Të zgjedhësh investimin në pasuri të paluajtshme do të thotë se ti je vetë përgjegjës për arritjet dhe dështimet e investimit të kryer. Duke bërë një investim të tillë, e keni vetë nën kontroll situatën, menaxhimin e pronës dhe të ardhurat tuaja.
Nëse në tregun imobilar rritet kërkesa për pasuri të paluajtshme, eksizton gjithmonë mundësia brenda termave kontraktore për të kërkuar rritjen e vlerës së qirasë në marrëveshje me palën qiramarrëse.
Nëse bie vlera e tregut te qirasë, mund të zgjedhësh të presësh derisa tregu të përmirësohet.
Cfarë duhet të ketë parasysh një investitor para se të investojë në pasuri të paluajtshme?
Vlera e një pasurie të paluajtshme është një tregues i dyfishtë i kërkueshmërisë dhe dobishmërisë së saj.
Sa më të kërkuara dhe të munguara të jenë pronat n e tregun imobiliar, aq më e madhe është edhe vlera e tyre. Përpara së të vendosin për të investuar, investitorët duhet të marrin në konsideratë në mënyrë të veçantë faktorët që lidhen me tregun imobiliar dhe karakteristikat e pronës:
1. Faktorët e tregut
a. Situata ekonomike kombëtare e vendit të përzgjedhur për të investuar
b. Treguesit ekonomik vendas dhe në veçanti të tregut imobiliar.
c. Legjilacioni tatimor lidhur me investime të kësaj natyre.
2. Faktorët e lidhur me pronën
a. Vendndodhja;
b. Cilësitë teknike
c. Orientimi;
d. Kushtet klimaterike etj.
Investimi në pasuri të paluajtshme kërkon shumë kohë, punë dhe përkushtim. Ju mund t’i gëzoheni këtij investimi dhe përfitoni të ardhura të konsiderueshme vetëm nëse punoni fort dhe në mënyrë te vazhdueshme.
Megjithate, duke analizuar të gjithë avantazhet dhe dizavantazhet e referuara në këtë artikulli, ne besojmë se investimi më i mirë që dikush mund të bëjë është investimi në pasuri të paluajtshme.
Nëse nuk investon paratë e tua në pasuri të paluajtshme, atëherë ku tjetër?